Të zgjohesh çdo mëngjes i rrethuar nga natyra, flladi i freskët i detit dhe aroma e mrekullueshme e pemëve të ullirit, mund të konsiderohet pa hezitim si përkufizimi i pushimeve relaksuese. Për të apasionuarit pas turizmit të aventurës, Olive Camping në Himarë është destinacioni më i ri, projekt i studentes Erasmia Varfi, realizuar me mbështetjen e programit B4Students.
Pozicionuar në Potam, në një sipërfaqe rreth 1500 m2, Olive Camping mirëpret çdo ditë dashamirësit e kësaj mënyre pushimi, të cilët vijnë individualisht ose në grup. Vizitorët e deritanishëm kanë qenë kryesisht të huaj, nga vende si Italia, Franca, Republika Çeke, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.
Përvojën e tyre në Olive Camping e përmbledh Alexandre, vizitor nga Franca, kur thotë se “kampi është i pozicionuar shumë mirë në një zonë të qetë dhe afër detit. Mikpritësit janë miqësorë, ndihmues, dhe madje gatuajnë produkte të zonës. Padyshim e rekomandoj”.
Rrethuar me pemë ulliri nga të cilat ka marrë dhe emrin, Olive Camping është mundësia ideale për të shijuar natyrën e Potamit. Njëkohësisht është edhe shembulli më i mirë i një nisme rinore që gjeti përkrahjen e duhur. Erasmia ishte fituesja e parë e Konkursit të Ideve të Biznesit, që organizon B4Students. Tashmë ajo nxit edhe studentët e tjerë të jenë aktivë në thirrjet e ardhshme për paraqitjen e ideve të biznesit.
Për studentët që regjistrohen në këtë konkurs, B4Students ofron një paketë trajnimi të dedikuar me qëllim zhvillimin e kompetencave sipërmarrëse dhe aftësive në biznes. Fituesit sigurojnë grant financiar deri në 5 mijë Euro si mbështetje për fillimin e aktivitetit, si dhe asistencë teknike për 6 muaj nga ekspertë të fushës. Më shumë detaje mbi konkursin jepen në link.
Programi B4Students është pjesë e mbështetjes për edukimin që jep Grupi BALFIN, me kujdesin e veçantë të presidentit të tij, Samir Mane, dhe që fokusohet tek angazhimi i të rinjve në sipërmarrje apo kontribut shoqëror, si dhe në zhvillimin e tyre profesional.