12 finalistë të edicionit të dytë Konkursit të Ideve të Biznesit prezantuan më 6 maj projektet e tyre të biznesit përpara jurisë së programit B4Students, në një aktivitet të dedikuar në format “Demo Day”. Dy idetë më të mira të biznesit të përzgjedhura nga juria do të financohen me grant, si mbështetje për fillimin e aktivitetit.
Plani i biznesit “COMPACT” nga Martina Mesha, studente e programit master në Dizajn të Aplikuar në Universitetin Polis, konsistonte në një markë veshjesh sportive dhe ‘casual’ që frymëzon një mënyrë jetese komode dhe ekologjike, duke përqafuar teknologjinë, qëndrueshmërinë, mjedisin dhe tendencat më të fundit të modës.
Nëpërmjet planit të biznesit “DDA – Diabetic Digital Albanian App”, Hygerta Pjeshka, studente në programin Administrim Biznesi në Tirana Business University College dhe Artemisa Pjeshka, studente Finance dhe Kontabiliteti në Institutin Kanadez të Teknologjisë (CIT) synonin të krijonin platformën e parë shqiptare në mbështetje të komunitetit diabetik me informacione, seksione trajtimesh për faza dhe lloje të ndryshme të diabetit, dieta dhe receta gatimi me përbërës që gjenden lehtësisht në tregun shqiptar, si dhe një program ushtrimesh fizike në grup.
Këto dy projekte fituese përfituan respektivisht grante në vlerën €5,000 dhe €3,500 si fonde për të nisur sipërmarrjet e tyre. Gjatë implementimit të planit të tyre të biznesit në vijim, studentëve do t’u ofrohet këshillimi nga ekspertë të Grupit BALFIN.
Juria e cila vlerësoi projektet ishte e përbërë nga Gjergji Spaho, Drejtor i Sistemeve Informatike në Grupin BALFIN, Lila Canaj, Drejtoreshë e Divizionit Retail në Tirana Bank, si dhe Andi Muhametaj, Menaxher Projektesh në Grupin BALFIN.
Konkursi i Ideve të Biznesit, një nga aktivitetet kryesore të B4Students, është përshëndetur edhe nga Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, i cili është kujdesur që mbështetja e edukimit dhe sipërmarrjes mes të rinjve të jetë një fokus i rëndësishëm në nismat e përgjegjshmërisë sociale të Grupit.
Edicioni i radhës për Konkursin e Ideve të Biznesit do të jetë në periudhën gusht – tetor 2022. Nëpërmjet këtij konkursi, B4Students synon të kontribuojë në krijimin e bizneseve të reja nga studentët, duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike.
Programi B4Students, mundësuar nga Grupi BALFIN, është i ndërtuar në 4 komponentë kryesorë, ai i Sipërmarrjes me Konkursin e Ideve të Biznesit dhe Konkursin e Sfidës së Biznesit; Klubet Sociale, Praktikat Profesionale dhe Punësimin, si dhe Investime Infrastrukturore në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik në Shqipëri.