Compact Collection, marka më e re e veshjeve mbështetur nga B4Students

Me eksperiencë dhe pasion në industrinë tekstile dhe fushën e modës, si dhe me një ide për biznes në 2022, Martina Mesha e mposhti kohën dhe krijoi një markë të re veshjesh sportive. “Compact Collection” është startup që Martina nisi me mbështetjen e programit B4Students, ndërkohë që vazhdon studimet master. Ideja u prezantua në edicionin e dytë të Konkursit të Ideve të Biznesit, organizuar nga B4Students, dhe ka veçantinë e përdorimit të materialeve natyrale dhe proceseve ekologjike në prodhimin e veshjeve.

Veshjet e Compact Collection i përkasin modës së qëndrueshme, ndjekin shijet e moshës së re dhe respektojnë natyrën gjatë prodhimit. Pambuku është zgjedhur i cilësisë më të mirë dhe, për vetë natyrën organike të tij, është i përshtatshëm për çdo person. Prodhimi kryhet në mënyra natyrale, bojërat e veshjeve janë me bazë uji dhe të padëmshme për shëndetin, paketimi bëhet me letër të riciklueshme dhe gjithë cikli nuk ka asnjë gjurmë plastike. Ndërkohë profesionistët e veshjeve shmangin në maksimum mbetjet nga lënda e parë. Gjithë procesi është ekologjik, miqësor me njeriun dhe mjedisin.

Programi B4Students, krijuar nga Grupi BALFIN në kuadër të nismave sociale me fokus edukimin, me vëmendjen e veçantë të Presidentit të tij Samir Mane, ndihmoi Martinën që në një kohë relativisht të shkurtër të konsolidojë idenë e saj të biznesit, dhe të sjellë koleksionin e parë të Compact Collection, me temë “Confident to yourself, worthy to the planet” (“me besim te vetja, i dobishëm për planetin”). Me këtë koleksion stilistja e re transmeton vizionin e saj për një komunitet që preferon veshjet sportive dhe mund të ndjekë stilin e sugjeruar nga Compact Collection në shkollë apo zyrë, pa u ndjerë të paragjykuar dhe duke ruajtur etikën.

“Me anë të veshjeve Compact Collection, synoj të sjell në treg cilësinë, komoditetin dhe qëndrueshmërinë e një marke veshjesh “Made in Albania”, e gatshme për të depërtuar edhe në tregjet e huaja. Koncepti im përqafon jetesën e shëndetshme, e cila mund të sigurohet vetëm në një planet të shëndetshem, kontribut të cilin do të japë çdokush, qoftë blerës, prodhues apo edhe mbështetës i fushatave për lidhjen e ngushtë të veshjes me mjedisin”, shprehet Martina. Porositë e para kanë filluar tashmë nëpërmjet profilit Compact Collection në Instagram.

Compact Collection është biznesi i dytë krijuar me mbështetjen e programit B4Students, pas kampingut dedikuar turizmit të aventurës në Himarë, i ngritur nga studentja Erasmia Varfi. Një grup tjetër studentësh mbështeten ndërkohë nga B4Students për ngritjen e kompanisë “Diabetic Digital Albanian Web App” në muajin nëntor, që përkon edhe me muajin e ndërgjegjësimit ndaj diabetit.

B4Students ka nisur regjistrimet për edicionin e tretë të Konkursit të Ideve të Biznesit, për studentët që u nevojitet mbështetje financiare e teknike për krijimin e sipërmarrjeve. Aplikimet janë të hapura deri më 28 tetor 2022 nëpërmjet www.b4students.com