Në një format “Demo Day”, 7 finalistët e edicionit të katërt të Konkursit të Ideve të Biznesit prezantuan idetë e tyre para jurisë, dhe dy prej tyre u shpallën fituesit, të cilët programi B4Students do t’i ndihmojë me financim dhe mentorim për realizimin e tyre në praktikë.
Plani i biznesit “Living App” nga Nadiela Ahmeti, studente në programin Master Profesional në Informatikë Biznesi pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pjesë e Universitetit të Tiranës, synon krijimin e një aplikacioni të bazuar në lojë, që ka si qëllim të nxisë turizimin lokal, promovojë bizneset vendore dhe të ndikojë pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien e përdoruesve.
Ndërsa Elda Myftarlli, studente në programin Bachelor në Administrim Biznesi pranë Tirana Business University College, me planin e biznesit “Artal” ka në fokus krijimin e një platformë për shitjen e produkteve kreative të prodhura në mënyrë artizanale nga artistë vendas.
Të dy idetë fituese, “Living App” dhe “Artal” përfituan grante në masën respektive prej 5000 euro dhe 2000 euro. Të dy sipërmarrësit e rinj, do të kenë edhe këshillimin e ekspertëve të Grupit BALFIN gjatë implementimit të projektit të tyre për 6 muajt e parë të aktivitetit.
Anëtarët e jurisë, Mariola Kuçi, Drejtoreshë Ekzekutive në Retail Park, Almarin Liço, Drejtor Ekzekutiv në Jumbo si dhe Altin Sholla, Administrator pranë Tirana Business University College, vlerësuan shpirtin sipërmarrës të finalistëve, diversitetin e ideve dhe ndikimin pozitiv në mjedis dhe shoqëri duke shprehur besim tek aftësitë e tyre për ti jetësuar idetë.
Nxitja e inovacionit tek të rinjtë dhe përgatitja e drejtuesve të ardhshëm janë në fokus të rëndësishëm të programit B4Students, pjesë e Fondacionit Mane, me kujdesin e veçantë të themeluesit të tij Samir Mane. Ky konkurs është vetëm një nga iniciativat e shumta të ndërmarra nga programi për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të drejtuesve të biznesit.