Nisin aplikimet për Programin e Praktikës dhe Punësimit nga B4Students

B4Students, platforma më e madhe në Shqipëri për studentët, ka hapur thirrjen e re të aplikimeve për Programin e Praktikës dhe Punësimit, që do të zhvillohet gjatë muajve shtator – dhjetor 2023. Të rinj nga të gjitha universitetet e vendit, por jo vetëm, do të kenë mundësinë të rriten profesionalisht pranë shoqërive të Grupit BALFIN, me mbështetjen e Fondacionit Mane. Deri më tani, pjesë e këtij programi kanë qenë mbi 250 studentë që kanë zhvilluar praktikën profesionale për një periudhë 3 mujore, nën kujdesin e ekspertëve.

Në këtë edicion, rreth 100 studentë pritet të nisin praktikën pranë kompanive Tirana Bank, ACREM (që menaxhon qendrat tregtare TEG dhe QTU), Mane TCI, Mane Development, Jumbo, Neptun Albania, Fashion Group Albania, SPAR Albania, Stella Mare, Milsped Albania, Balfin Real Estate & Hospitality, Scan TV, OnSolutions dhe Elektro-Servis. Disa nga fushat ku ata do të angazhohen janë shitja, marketingu, burimet njerëzore, financa, teknologjia, logjistika, inxhinieria dhe arkitektura. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 10 shtator 2023, nëpërmjet portalit www.b4students.com.

“Edukimi dhe të rinjtë përbëjnë një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së Fondacionit Mane dhe, me programin B4Students, ne kemi ndërtuar një urë të qëndrueshme komunikimi me të rinjtë, për të kontribuar në përgatitjen profesionale, punësimin dhe vetëpunësimin e tyre,” thotë Erion Ndreçka, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Mane.

Nevoja e të rinjve për të zhvilluar njohuritë praktike dhe integruar në tregun e punës është e lartë. Për këtë qëllim, Programi i Praktikës dhe Punësimit organizohet dy herë në vit dhe nga anketimet e kryera me studentët pjesëmarrës, rezulton se për 98% të tyre kjo eksperiencë praktike u ka shërbyer për t’u aftësuar. Një numër i konsiderueshëm i studentëve pjesëmarrës punësohen më pas në kompanitë e Grupit BALFIN, bazuar në performancën e dëshmuar gjatë praktikës.

Njeh një student që do të përfitonte nga programi i Praktikës dhe Punësimit? Tregoji për B4Students!