Me qëllimin që studentët të sigurojnë aftësim profesional cilësor dhe punësim në një profil të lidhur me studimet e tyre në një fazë sa më të hershme të karrierës, B4Students po organizon Programin e Praktikës dhe Punësimit, për herë të dytë këtë vit. Deri në dhjetor 2022, për 3 muaj radhazi, studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të punojnë pranë 10 kompanive të Grupit BALFIN, duke u bërë pjesë e industrisë bankare, shitjes me shumicë dhe pakicë, pronave të patundshme, dhe menaxhimit të aseteve.
Kjo është thirrja e tretë e Programit të Praktikës dhe Punësimit nga B4Students, në të cilin aplikuan mbi 650 studentë nga mbi 25 institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, publik dhe privat. Në dy thirrjet e para janë rritur profesionalisht 170 studentë dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre janë punësuar gjatë apo në përfundim të programit në kompaninë përkatëse. Përvoja e studentëve me programin është pozitive dhe ata nuk ngurrojnë të ndajnë vlerësimin e tyre.
“Gjatë zhvillimit të praktikës në Tirana Bank konfirmova kulturën e punës që duhet synuar. Unë pata fatin të punoja pranë njerëzve me qëndrim pozitiv, bashkëpunues dhe të gatshëm për të më mësuar gjëra të reja, ndërsa ndiqja detyrat e përditshme dhe merrja pjesë në trajnimet e brendshme. Në momentin që u krijua një mundësi për punësim, aplikova menjëherë. Sot jam e lumtur që vijoj rrugëtimin profesional pranë Departamentit të Operacioneve, një mjedis që më nxit të jap më të mirën dhe të synoj gjithmonë lart!” shprehet Valbona Çelkavaja, praktikante e edicionit të parë, e punësuar në Departamentin e Operacioneve të Tirana Bank.
Praktikantët konsiderohen pjesë e rëndësishme e skuadrës së punës. Ky aspekt është vlerësuar nga një studente tjetër, Kejsi Ulliri, praktikante e edicionit të parë, e punësuar në Departamentin e Financës në Jumbo, e cila thotë se “që në ditët e para të praktikës në Jumbo, kupton se je vlerë e shtuar në skuadër. Kolegët të respektojnë, të përkrahin, dhe kontributi yt është i vlerësuar.”
Ndërsa Joana Marku, praktikante e edicionit të dytë, e punësuar në Departamentin Komercial në Neptun Albania, shprehet: “Në Neptun kam vlerësuar frymën e bashkëpunimit dhe gatishmërinë për të ndihmuar të kolegëve dhe stafit drejtues, në anën profesionale dhe personale. Gjatë praktikës jam rrethuar nga njerëz të apasionuar pas punës, profesionistë në gjenerimin e shitjeve dhe menaxhimit të marrëdhënieve me furnitorë të huaj. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar të zhvilloj njohuri dhe aftësi praktike, të krijoj miq të rinj dhe të sfidoj veten në një fushë të re karriere.
Programi i Praktikës dhe Punësimit është vetëm një nga aktivitetet e B4Students. Prej pak ditësh, kanë nisur regjistrimet e studentëve në edicionin e tretë të Konkursit të Ideve të Biznesit, ndërsa pritet të lancohet së shpejti sfida e biznesit, në bashkëpunim me Scan TV, një aktivitet tjetër, dedikuar nxitjes së inovacionit dhe të të menduarit analitik nga studentët. Gjithashtu me fillimin e vitit akademik, klubet e studentëve të të gjitha universiteteve do të kenë mundësi të aplikojnë për mbështetje financiare për kontretizimin e projekt-ideve me ndikim pozitiv social. Studentët e interesuar, mund të regjistrohen online në program në linkun .
B4Students është pjesë e nismave të përgjegjshmërisë sociale në fushën e edukimit, krijuar nga Grupi BALFIN, me vëmendje të veçantë të presidentit të tij, Samir Mane, që fokusohet në angazhimin e të rinjve në sipërmarrje apo kontribut social, si dhe në zhvillimin e tyre profesional.