Qendra Tregtare TEG mbështet konkursin e studentëve “RICIKLO – KREATIV”, organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Shqipëri, në bashkëpunim me programin B4Students dhe BERC. 12 ulëse për mjedise urbane dhe të interierit, të krijuara me material të riciklueshëm nga studentët pjesëmarrës në konkurs janë ekspozuar në mjediset e brendshme të TEG. Ekspozita do të jetë e çelur për publikun deri më datë 29 korrik, ditën kur do të shpallen edhe 5 projektet fituese të studentëve, të cilët do të vlerësohen me çmim nga qendra tregtare TEG.
Ekspozimi i veprave në TEG ka si qëllim të ndërgjegjësojë qytetarët për raportin ndaj prodhimit të tepërt të mbetjeve urbane dhe ripërdorimin e tyre nëpërmjet transformimit në një koncept të qëndrueshëm dhe kreativ. Gjithashtu ai i shërben studentëve të arkitekturës për tu aftësuar nëpërmjet aplikimit të koncepteve dhe promovuar profesionalisht, në një hapësirë që është simbol i mënyrës më të mirë të jetesës, e cila të frymëzon të ndjekësh trendet dhe të jesh i përgjegjshëm dhe miqësor ndaj mjedisit. Ky aktivitet mbështetet nga TEG në vijimësi të nismave të përgjegjësisë sociale, me fokus edukimin dhe mjedisin, një prioritet i Grupit BALFIN, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Samir Mane.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Armand Vokshi, shprehet se “Kjo gjë, bartës i një mesazhi madhor që i përket të gjithëve, bëri bashkë për herë të parë, nëpërmjet një bashkëpunimi të suksesshëm të TEG dhe FAU, në krijimin dhe prezantimin e ekspozitës së studentëve mbi prototipin ‘ulëse me materiale të riciklueshme’ në ambjentet e TEG”.
Kjo ekspozitë është e përshtatshme për të gjitha moshat. Kreativiteti i produkteve ka tërhequr vëmendjen e të gjitha brezave të vizitorëve në TEG, të cilët gjatë xhiros, ndalen për ti soditur e fotografuar. Nëse nuk e keni vizituar ende ekspozitën, ju nxisim ta shtoni në agjendën tuaj për t’u frymëzuar nga kreativiteti i studentëve, aplikuar në krijimin e 12 veprave.