Studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura, në Universitetin e Arteve në Tiranë, kanë mundësi të reja për zhvillimin e procesit krijues në laboratorin e tyre multimedial. Tirana East Gate dhe programi B4Students kanë përkrahur nismën e një grupi studentësh për ta pajisuar mjedisin e tyre të mësimit me monitorë të përshtatshëm për punën grafike.
Altin Lika, as. lektor i këtij fakulteti, shpreh edhe falenderimin e studentëve kur thotë se “me kontributin e TEG, ne krijojmë kushtet për përmirësim të mëtejshëm në aftësimin praktik të artistëve të rinj, duke iu përgjigur edhe më mirë nevojave të tregut të punës.” Njëkohësisht vetë studentët, nën udhëheqjen e pedagogëve, materialet e para multimediale në laborator i kanë përgatitur për një projekt të ideuar nga studentë të tjerë, gjithashtu të mbështetur nga TEG dhe programi B4Students.
Inkurajimi i aktiviteteve kulturore nga të rinjtë është pjesë themelore e përgjegjshmërisë sociale të TEG, ndërsa programi B4Students është i përqëndruar plotësisht tek studentët dhe fuqizimi i tyre. Në një këndvështrim më të përgjithshëm, krijimi i hapësirave të nevojshme për zhvillimin e studentëve dhe kontributi për një edukim sa më cilësor është përparësi e angazhimit social të Grupit BALFIN, nën kujdesin e veçantë të presidentit të tij, Samir Mane.