Informimi dhe ndërgjegjësimi i studentëve për kriptomonedhat ishte në fokus të projektit social të realizuar nga grupimi studentor ABC Tirana Club në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, me mbështetjen financiare të B4Students. Ideja për projektin u prezantua në thirrjen për Social Clubs, organizuar nga B4Students në mbështetje të nismave sociale me ndikim pozitiv në komunitet. Projekti u realizua në disa faza përgjatë 5 muajve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të grupeve të interesit.
Me qëllim për të vlerësuar perceptimin e të rinjve për kriptomonedhat dhe adresuar shqetësimet kryesore të tyre, ABC Tirana Club organizoi sondazh me 300 studentë nga universitete publike e private në vend. Mosha mesatare e të intervistuarve rezultoi 21.7 vjeç, 47% e tyre vijojnë studimet bachelor dhe 46% janë të gjinisë femërore. Me të dhënat nga sondazhi, u përgatitën dhe promovuan online 5 video informuese.
Nën kujdesin e ekipit të ABC Tirana Club, përfaqësues të grupeve të interesit nga institucione publike dhe private, organizata jofitimprurëse, si dhe akademikë e studentë të profilit të ekonomisë dhe financave, ishin pjesë e forumit të diskutimit, organizuar me qëllim analizimin e gjetjeve të sondazhit, evidentimin e sfidave kryesore dhe ofrimin e sugjerimeve, për të informuar mbi përdorimin e kriptomonedhave.
Forumi u përshëndet nga Dekani i FEUT, Prof. Dr. Dhori Kule, i cili vendosi theksin te besimi i publikut. “Dukuritë e reja në fushën ekonomike kërkojnë përgjegjësi në menaxhimin dhe interpretim, në të kundërt stimulohet kaos te njerëzit, te mendimet dhe vendimmarrjet e tyre. Të dhënat e sondazhit dhe konkluzionet e këtij forumi kontribuojnë drejtpërdrejt në shtimin e këtij besimi,” ishin fjalët e tij.
Për pedagogen Prof. Asoc. Dr. Edlira Mërtiri, investimi në kriptomonedha nuk duhet të realizohet pa ekspertizën dhe informacionin e duhur. Në fjalën e saj citoi se “Rezulton se rreth 1% e popullatës shqiptare është e përfshirë në tregun e kriptomonedhave. Vlera e portofoleve, sipas SCAN TV, është rreth 6.2 miliardë dollarë. Ndonëse është krijuar ligji, ai nuk është i plotësuar në disa aspekte të tij, dhe tregu është ende i paeksploruar mjaftueshëm, ndaj kujdesi për informacion cilësor duhet të jetë i lartë”.
Të dhënat e sondazhit dhe konkluzionet e forumit janë pjesë e materialit përmbledhës të publikuar nga ABC Tirana Club në kuadër të edukimit financiar dhe ekonomik të publikut. Ky është projekti i dytë social realizuar nga studentët me mbështetjen e B4Students, ndërsa dy projekte të tjera sociale, nga klube studentore të Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, janë vlerësuar për mbështetje dhe po këshillohen për implementin e tyre në muajt në vijim.
Realizimi i projekteve sociale për tematika në interes të studentëve dhe komunitetit, është vijimësi e aktiviteteve të përgjegjshmërisë sociale, me fokus edukimin, një prioritet i Grupit BALFIN, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Samir Mane.