B4Students përzgjedh 3 fituesit e edicionit të dytë të Konkursit të Sfidave të Biznesit

Si mundet Tirana Bank të plotësojë më mirë nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve në Shqipëri me produkte, shërbime dhe aktivitete të dedikuara, për një përvojë sa më miqësore? Kësaj sfide iu përgjigjën me zgjidhjet e tyre 9 studentë finalistë të Konkursit të Sfidave të Biznesit, organizuar nga B4Students, në bashkëpunim me Tirana Bank.

Një juri me përfaqësues të bankës, Elona Gjipali, Drejtuese e Divizionit të Rekuperimit Bankar, Glenda Kurti, Drejtuese e Divizionit të Korporatave, dhe Idlir Mezini, i cili menaxhon Departamentin e SME-ve, zgjodhën tre idetë më të mira, që erdhën nga Blerta Dodaj, studente në University of the People në ShBA, Klaudia Meha, studente në shkollën Herman Gmeiner në Tiranë, dhe Alba Tema, studente e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Tre fituesve iu mundësua shpërblim monetar dhe trajnim profesional në platforma ndërkombëtare online, sipas temave të zgjedhura prej tyre, si edhe pjesëmarrja në programin e praktikës profesionale dhe punësimit në shoqëritë e Grupit BALFIN. Në përfundim të aktivitetit, të gjithë finalistët u pajisën me certifikatë, si vlerësim për angazhimin dhe cilësinë e lartë të përgatitjes.

Ky është edicioni i dytë i Konkursit të Sfidave të Biznesit nga B4Students. Me këtë aktivitet, B4Students synon nxitjen e inovacionit dhe të të menduarit analitik nga studentët, nëpërmjet konceptimit nga ana e tyre të zgjidhjeve për sfida reale që has biznesi në Shqipëri.

“Konkursi i Sfidave të Biznesit ishte një eksperiencë e veçantë dhe njëkohësisht e bukur për mua. Njoha miq të rinj, prezantova punën time përballë përfaqësuesve të lartë të Tirana Bank, dhe u vlerësova me çmimin e parë. Programi B4Students është një ndihmë mjaft e madhe ndaj studentëve të cilët kanë pasion biznesin dhe jo vetëm. Pres me padurim projektin e radhës të B4Students.” tha Blerta, fituese e vendit të parë. “Përvojë e cila do t’i nevojitet çdo sipërmarrësi të gjeneratës Z për zhvillimin e tij si lider në biznes. Profesionalizëm, motivim, mirëkuptim.” u shpreh Klaudia, fituese e vendit të dytë. Ndërsa për Albën, fituesen e vendit të tretë, “Ky konkurs ishte një moment reflektimi për të përqafuar sfidat dhe idetë novatore, një shtysë më shumë për të synuar lart!”

B4Students është pjesë e nismave të përgjegjshmërisë sociale në fushën e edukimit, krijuar nga Grupi BALFIN, me vëmendje të veçantë të presidentit të tij, Samir Mane, që fokusohet në angazhimin e të rinjve në sipërmarrje apo kontribut social, si dhe në zhvillimin e tyre profesional.

Prej pak ditësh, B4Students ka nisur regjistrimet në edicionin e tretë të Konkursit të Ideve të Biznesit, për studentët që kërkojnë të nisin një biznes dhe u nevojitet mbështetje financiare, trajnim praktik dhe mentorim nga ekspertë. Të interesuarit mund të informohen në detaje dhe aplikojnë link. Në dy edicionet e para, B4Students ka mbështetur krijimin e tre bizneseve nga studentët, Olive Camping, DDA – Diabetic Digital Albanian App, dhe Compact.