“Moda e Qëndrueshme” është ekspozita e çelur në mjediset e qendrës tregtare Tirana East Gate me veshje të ricikluara, punime të studentëve të Departamentit të Tekstilit dhe Modës, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, me mbështetjen e programit B4Students. Ideja për ekspozitën u prezantua në thirrjen për Social Clubs, organizuar nga B4Students, në mbështetje të nismave sociale që krahas aftësimit profesional të studentëve, kanë edhe një ndikim pozitiv në komunitet. Tema e riciklimit, sjellë përmes ekspozitës, kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjëson për pakësimin e konsumit të burimeve natyrore.
Ceremonia e hapjes së ekspozitës u realizua në praninë e drejtuesve dhe pedagogëve të Departamentit të Tekstilit dhe Modës, drejtues të TEG, programit B4Students, shoqatës Pro Eksport, si dhe të miqve e të ftuarëve të tjerë nga fusha e modës. 13 studentët pjesëmarrës u pajisën me certifikatë vlerësimi për origjinalitetin dhe trajtimin kreativ të produkteve, realizuar me materiale të ricikluara. Ekspozita me 28 krijime do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të tetorit.
Drejtuesi i Departamentit të Tekstilit dhe Modës, Prof. Dr. Ermira Shehi, shprehet se “Nisma të tilla janë tepër të rëndësishme për studentët prej mesazhit që ato përcjellin. Faleminderit programit B4Students dhe Grupit BALFIN për kontributin e dhënë në jetësimin e këtij projekti nga studentët. Urojmë të kemi bashkëpunime të tjera të frytshme si ky në të ardhmen.” Ndërsa Mariola Kuçi, Drejtoresha Ekzekutive e ACREM, e cila menaxhon qendrën tregtare, shpreh kënaqësinë që puna e përditshme e kolegëve të TEG për mjedisin gjen jehonë edhe në projektet e të rinjve.
Së shpejti, një tjetër projekt social do të realizohet nga studentët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës me temë “Përdorimi i parasë virtuale, a jemi gati?!”, me mbështetjen financiare të programit B4Students. Ky projekt ka në fokus informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi monedhën virtuale. Realizimi i projekteve sociale për tematika në interes të studentëve dhe komunitetit, është vijimësi e aktiviteteve të përgjegjshmërisë sociale, me fokus edukimin, një prioritet i Grupit BALFIN, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Samir Mane.