Vlora Marina mirëpriti një grup tjetër studentesh në një vizitë në kantier, këtë herë nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. 24 arkitektë të ardhshëm vizituan projektin turistik në qytetin bregdetar si pjesë e iniciativës së programit B4Students për të prezantuar studentët nga afër me fushën që studiojnë. Vizita ishte një kombinim i vëzhgimit të punimeve në kantier dhe ndërveprimit me profesionistë të industrisë.
Të shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Fabio Capanni, e pedagogë, grupi i studentëve u takua me Menaxherin e Projektit, Ervin Baçaj, i cili i njohu ata me një prezantim të shkurtër të zhvillimit të tij dhe rëndësisë për komunitetin.
Gjatë turit të tyre eksplorues dhe të mësuarit në mjediset e kantierit të marinës, studentët u njohën me ekipin e inxhinierëve dhe arkitektëve të cilët iu treguan rreth teknikave të ndërtimit për pjesën kompozitive dhe funksionale. Aspekte mbi projektimin, planifikimi i hapësirës dhe teknologjia e përdorur ishin disa nga çështjet që u diskutuan me Drejtuesin e Kantierit në projektin Vlora Marina, Klarens Mishon.
“Popujt përreth Mesdheut janë të ndryshëm, por në të njëjtën kohë ndajnë diçka me njeri-tjetrin. Deti ka qenë gjithmonë një mjet themelor komunikimi për të gjithë këta popuj ndaj, fakti që hapet një port turistik i tillë në Shqipëri është thelbësor sepse e integron vendin në një sistem më të gjerë komunikimi dhe gjithashtu në një pjesë të turizmit që ndoshta momentalisht nuk vjen këtu. Ky projekt do të ndikojë jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por edhe nga pikëpamja kulturore.” u shpreh Dekani Fabio Cappani. Ai vlerësoi gjithashtu praktikat profesionale që ofron Grupi BALFIN nëpërmjet programit B4Students.
Menaxheri i projektit, Ervin Baçaj tha se “Vlora Marina do të ketë në përbërje një grup aktivitetesh të cilat e bëjnë unik në llojin e saj. Ne jemi të hapur të ndajmë përvojën, risitë dhe sifdat e këtij projekti unik me profesionistët e ardhshëm të fushës, për t’i familjarizuar ata me industrinë.”
Vlora Marina është projektuar për t’u shndërruar në nyjen qendrore të zhvillimit të turizmit elitar në Shqipëri. Krahas vendeve të reja të punës që do vazhdojë të krijojë deri në operimin e plotë të saj, porti turistik pritet të kontribuojë mbi 20 milion euro në vit në ekonominë e qytetit nga të ardhurat e portofolit të shërbimeve.