Të martën u zhvillua në TEG aktiviteti “Riciklo Kreativ”, i cili, erdhi në qendrën më të madhe tregtare në vend për të tretin vit radhazi nga një bashkëpunim i frytshëm i saj me Fondacionin Mane, programin B4students nga Grupi BALFIN, dhe Fakultetin e Arkitekturës e Urbanistikës në Tiranë.
Edicioni i tretë i këtij aktiviteti bëri bashkë 44 studentë artitekture nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova dhe, mes dhjetra projektesh, një juri e përzgjedhur shpalli 5 projektet më të mira – tre prej të cilave u shpërblyen me cmime. Të gjitha projektet ishin të realizuara me materiale të ricikluara dhe çdo njëra prej tyre vinte me një strukturë unike, si ulëse për mjediset e jashtme.
Këto krijime, jo vetëm shpalosin kreativitetin e studentëve, por gjithashtu nxisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e riciklimit dhe ruajtjes së mjedisit.
Aktiviteti “Riciklo Kreativ”, sipas Drejtoreshës së Marketingut të ACREM*, Joana Korimi, është gjurmë e përgjegjshmërisë së TEG kundrejt komunitetit dhe veçanërisht të rinjve.
“TEG është një qendër tregtare që ka gjithmonë një përgjegjshmëri në rritje kundrejt komunitetit dhe posaçërisht kundrejt të rinjve, sepse të rinjtë janë frymëzimi, janë energjia, janë ata që ne na inkurajojnë të shkojmë drejt synimeve tona për të ndërtuar një shoqëri më të mirë”, – u shpreh Joana Korimi.
Për Dekanin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Tiranë, Armand Vokshi, edicioni i tretë i aktivitetit i ka tejkaluar organizimet e mëparshme, për vetë interesin e shprehur dhe angazhimin e lartë të studentëve.
“Pjesëmarrja e sivjetshme ishte më e lartë se herët e tjera dhe studentët të cilët erdhën me grupet e tyre i kemi këtë vit nga Shqipëria.. nga fakultete të ndryshme të Arkitekturës, i kemi nga Maqedonia e Veriut, Tetova, si dhe nga Kosova”, – pohoi Armand Vokshi.
TEG mbetet shtëpia e artit krijues, e arkitektëve të vendit e rajonit, por mbi të gjitha e qytetarëve të përgjegjshëm me të cilët ndahet i njëjti vizion: punë dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm për një mjedis më të pastër dhe të gjelbër, e për rrjedhojë për një shoqëri më të shëndetshme.
Ky vizion është në përputhje të plotë me misionin e Fondacionit Mane për t’u angazhuar dhe për të promovuar iniciativat që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Fondacioni Mane ka një histori të gjatë në mbështetje të projekteve që synojnë edukimin ambiental, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet.
*ACREM është kompania menaxhuese e qendrës tregtare TEG dhe është pjesë e Grupit BALFIN, një nga grupet më të mëdha dhe të suksesshme të investimit në vend e rajon.